Bruce Willis heq dorë nga aktrimi

24

Aktori i njohur, Bruce Willis është diagnostikuar me një sëmundje të trurit të quajtur afazi dhe planifikon të largohet nga aktrimi, sipas një njoftimi të familjes së tij.

Ky lajm u dha në një deklaratë në rrjete sociale.


“Për mbështetësit e mrekullueshëm të Bruce, si familje ne donim të ndajmë se Bruce ynë i dashur ka përjetuar disa probleme shëndetësore dhe së fundmi është diagnostikuar me afazi, e cila po ndikon në aftësitë e tij njohëse”, thuhet në deklaratën e familjes.

“Si rezultat i kësaj dhe me shumë konsideratë Bruce po largohet nga karriera që ka kaq shumë kuptim për të. Kjo është një kohë vërtet sfiduese për familjen tonë dhe ne jemi kaq mirënjohës për dashurinë, dhembshurinë dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Ne po e kalojmë këtë si një familje e bashkuar dhe e fortë, dhe kemi dashur të njoftojmë fansat e tij sepse e dimë se sa shumë do të thotë ai për ju, ashtu siç ju për të”, thuhet në deklaratë.

Afazia është një sëmundje që mund të ndikojë në aftësinë e një personi për të folur, shkruar dhe kuptuar gjuhën, si me gojë ashtu edhe me shkrim. Zakonisht shfaqet pas një goditjeje ose një dëmtimi në kokë.

Willis ka shumë projekte të përfunduara dhe ende në përfundim e sipër, duke përfshirë “Vendetta”, “Fortress: Sniper’s Eye” dhe “White Elephant”.

Ndërsa me “Fortress 3”, i cili aktualisht është në para-prodhim, nuk dihet ende ç’do të ndodhë.