Definimi i shqiptarëve si “20%” në Kushtetutë! Partitë shqiptare të një mendimi që të ndryshohet

13

Shqipja gjuhë që e flasin 20% apo 30% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut?! A do të sjellë ndryshime kushtetuese Regjistrimi i popullsisë, në të cilin numri i përgjithshëm i shqiptarëve del të jetë mbi 29%?

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se është çështje kohe se kur do të hiqet 20% në definon shqiptarët në Kushtetutë. Duke shpjeguar se përse është vendosur ajo përqindje, shtoi se ka vullnet të mirë nga të gjitha palët për heqjen e të njëjtës, por për momentin sipas tij është e rëndësishme të zgjidhjet kontesti me Bullgarinë.

“20% në Kushtetutën e RMV-së nuk e cenonte substancën e avancimit të çështjes shqiptare në RMV. Kemi bërë kompromis dhe kemi qenë të sigurtë se me kalimin e kohës kjo çështje do të vijë në momentin më të mirë që do të ndryshohet dhe ka vullnet të mirë prej të gjitha palëve që në momentin e parë që të hapet Kushtetuta për ndryshime dhe avancime të tjera, kjo gjë do të rregullohet”, tha Ahmeti.

Heqja e “20%-shit” është pika që bashkon të gjitha partitë shqiptare. Kjo sepse edhe ato opozitaret e kërkojnë me ngulm një gjë të tillë. Majde kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se nuk duhet lidhur aspak regjistrimi me heqjen e 20% në Kushtetutë. Shtoi se shqiptarët nuk duhet të trajtohen me definicione ofenduese.

“Ndryshimet kushtetuese e para punës nuk duhet të varen nga regjistrimi i popullsisë. Qëndrimi i ASh-së është konsistent dhe i përhershëm i shprehur shumë herë publikisht edhe kur është hapur Kushtetuta. E dëshmuar edhe me amendamente në cilat segmente mendojmë se duhet ndryshuar Kushtetuta, dhe po, Kushtetuta duhet ndryshuar!”, tha Sela.

Zëvendëskryetari i Besës, Arijanit Hoxha, vlerëson se është nënçmuese forma e paraqitjes me përqindje të shqiptarëve në Kushtetutë, ndërsa u shpreh se heqja e përqindëshit si term juridik, do ta rrisë besueshmërinë mes komuniteteve.

“Absolutisht se në çdo hapje të Kushtetutës ne do të ngremë këtë çështje dhe do të tentojmë për ta eliminuar, sepse nuk ka logjikë sidomos mbas gjithë asaj që ka ndodhur në gjithë këto vite të pluralizmit politikë. Mirëpo, normalisht Kushtetuta kërkon 80 vota për të cilat duhet konsensus më i gjere”, tha Hoxha.

Nga partitë maqedonase nuk deshën të komentojnë nëse janë të gatshëm që në suaza të ndryshimeve kushtetuese të pajtohen me heqjen e përcaktimin 20% për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.