Si u bë lufta një krim, dhe pse Putini i ka shkelur të gjitha ligjet ndërkombëtare

41


Shkruan: Dylan Matthews

Traktati i Versajës, që i dha zyrtarisht fund Luftës së Parë Botërore dhe vendosi një rend të ri të pasluftës, nisi me një statut që parashikonte krijimin e një organizate të re. I quajtur Pakti i Lidhjes së Kombeve, organi i ri synonte të zgjidhte mosmarrëveshjet ndërkombëtare në mënyrë paqësore.

Më e rëndësishmja: ai i angazhoi anëtarët e tij të “respektonin dhe ruanin kundër agresionit të jashtëm integritetin territorial dhe pavarësinë ekzistuese politike të të gjithë anëtarëve të Lidhjes”. Ai premtim, neni X i paktit, ishte vepër e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Udrou Uillson.

Ai drejtoi komitetin në Konferencën e Paqes të Parisit të vitit 1919 që hartoi këtë dokument. Historiani Xhon Kuper e përshkruan Nenin X si “kontributin e veçantë të Uillsonit”. Në fakt ai nen do të ndihmonte në shkatërrimin e Lidhjes së Kombeve.

Kundërshtarët e hyrjes së SHBA-së në këtë pakt, si senatori Henri Loxh, thanë se neni e detyronte SHBA-në të rreshtohej në mbrojtje të çdo vendi në mbarë botën, duke e përfshirë atë në konflikte në të cilat nuk kishte asnjë interes jetik.

Në fund triumfoi linja e skeptikëve. SHBA-ja nuk do t’i bashkohej asnjëherë Lidhjes së Kombeve, një fakt që kontribuoi shumë në dështimin e saj përfundimtar në pragun e Luftës së Dytë Botërore. Dhe për aq sa mbahet mend Lidhja e Kombeve, kujtohet zakonisht si një eksperiment i turpshëm i dështuar.

Megjithatë disa nga eksperimentet kanë pasur sukses. Unë kam reflektuar shpesh këto ditë për Nenin X për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, që kërcënon hapur dhe në thelbin e tij integritetin territorial dhe pavarësinë politike të atij vendi.

Asnjë ligj ndërkombëtar nuk i ndaloi trupat ruse të kalonin kufirin. Por në një farë mënyre, ky është përjashtimi që provon rregullin e përcaktuar fillimisht në Nenin X. Veprimet e Moskës janë kaq shumë tronditëse pikërisht sepse shkelin atë që tanimë pranohet si një normë e fortë kundër pushtimit territorial nga kombet.

Dhe kjo normë filloi me një sipërmarrje idealiste në vazhdën e Luftës së Parë Botërore,përfshirë Nenin X dhe një përpjekje edhe më utopike:traktati për heqjen dorë nga lufta si një instrument i politikës kombëtare, i quajtur shpesh Pakti Kelog-Briand, i nënshkruar në vitin 1928.

Lufta në Ukrainë, nuk është dëshmi se kjo normë është zhdukur. Gjithsesi, kriza aktuale është një shembull i normës që funksionon siç synohej. Pasi u shkel nga presidenti rus Vladimir Putin, ky i fundit u përball me një ndëshkim dërrmues (por jo ushtarak) nga komuniteti ndërkombëtar.

Tanisha Fazal, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Minesotës, thotë se Neni X ndihmoi në lindjen e asaj që ajo e quan “norma kundër pushtimit”. Në librin e saj “Vdekja e një shteti:Politika dhe gjeografia e pushtimit dhe aneksimit”, Fazal shqyrton shpërbërjen e dhunshme të shteteve të ndryshme, ose rastet kur pushon së ekzistuari një vend i tërë, të paktën për një periudhë, për shkak të luftës.

Mendoni pak për raste si shkatërrimi i Polonisë në vitin 1795, që solli ndarjen e këtij vendi midis Prusisë, Habsburgëve dhe Perandorisë Ruse. (Polakët do ta rifitonin sovranitetin kombëtar pas më shumë se një shekulli). Një fund i tillë i ekzistencës së një shteti përmes pushtimit ishte shumë i zakonshëm për kohën.

Në fakt, Gjermania dhe Italia ekzistojnë si kombe kryesisht për shkak të shteteve të tyre më të fuqishme pararendëse (përkatësisht Prusia dhe Piemonte-Sardenia) që pushtuan dhe aneksuan shtete më të vogla si Hanoveri ose Siçilia. Dhe kjo formë e luftës për pushtim u institucionalizua në ligj.

Në librin e tyre të vitit 2017 “Internacionalistët:Si e rindërtoi botën një plan radikal për të nxjerrë jashtë ligjit luftën”, profesorët e jurisprudencës në Universitetin e Jeilit, Ona Hetheuej dhe Skot Shapiro, vënë në dukje se normat mbizotëruese rreth luftës para shekullit XX-të nuk ishin thjeshtë lejuese, por vazhdimisht dashamirëse ndaj luftërave pushtuese.

Ata citojnë veprën e Hugo Grocit, juristit të famshëm holandez të shekullit XVII-të dhe ndoshta babait të së drejtës ndërkombëtare, që thoshte se shtetet kanë të drejtën e pushtimit territorial si mjetin e fundit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Groci besonte se lufta ishte paksa si një padi në gjykatë:ajo synonte të korrigjonte një gabim, dhe një nga mënyrat për ta bërë këtë ishte sekuestrimi i pronës (përfshirë tokën) që u përket atyre që janë sjellë me ju në mënyrë të padrejtë.

Ai besonte se të gjitha qeniet njerëzore kanë të drejtën e natyrshme për të mbrojtur me dhunë jetën dhe pronën e tyre. Kur njerëzit u bashkuan dhe formuan shtetet, ata ia kaluan këtë të drejtë shtetit. Prandaj, shteti, si një zgjatim i së drejtës së tij për vetëmbrojtje, ka të drejtë të bëjë luftë për të korrigjuar gabimet, dhe të sekuestrojë pronat e vendeve të tjera si dëmshpërblim për gabimin e bërë.

Në fakt Groci po pasqyronte një traditë shumë më të gjerë që mbizotëronte në Evropën e para shekullit XX-të dhe në kontinente të tjera. Por gjërat ndryshuan sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Luftërat pushtuese u bënë më pak të zakonshme pas vendosjes së një norme kundër tyre.

Veç ligjeve dhe konventave ndërkombëtare ka pasur edhe faktorë të tjerë. Mes tyre është shfaqja e armëve bërthamore, të cilat e dekurajuan ashpër luftën e hapur. Po ashtu edhe procesi i dekolonizimit. Dikush mund të mendojë se pushtimi rus i Ukrainës, e minon këtë histori shpresëdhënëse.

Por nuk është domosdoshmërisht kështu. Ekzistenca e një norme nuk cënohet thjesht nga shkelja e saj. Hetheuej dhe Shapiro vënë në dukje se përgjigja dërrmuese perëndimore ndaj pushtimit të Rusisë, tregon se si normat ligjore kundër pushtimit janë zbatuar siç ka ndodhur tradicionalisht.

Regjimi aktual i sanksioneve kundër Rusisë, që përfshin kufizime ndaj Bankës Qendrore në Rusi, të cilat po kërcënojnë të shkaktojnë një recesion dhe inflacion masiv në vend, janë “bombat termonukleare të financave” thotë Shapiro. Nëse komuniteti ndërkombëtar do t’i ishte përgjigjur pushtimit duke bombarduar civilët rusë, ky do të ishte një krim lufte plotësisht i paqartë./“Vox”