Kush do të vajtojë më shumë për “vdekjen” e BDI-së?!

41

AGRON SHAQIRI

Shumëkush nga ju, që do ta lexoni këtë opinion do të pajtohet me qasjen time, por do të ketë edhe nga ata që, të themi kushtimisht nuk do të pajtohen, ama do të ju kisha lutur që ta lexoni deri në fund pasi ajo që gjendet në këtë shkaravinë është më se e saktë pavarësisht titullin që ka. Ju kisha lutur për durim deri në fund. Tani ja fillojmë!!!!

Në zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoninë e Veriut, në komunat shqiptare u vërejt zbehje e mbështetjes së elektoratit për Bashkimin Demokratik për Integrim. Kjo ishte edhe sinjali se kësaj partie po i vjen fundi pasi rezultatet e zgjedhjeve të tetorit i nxorri ata si të dytë në qytetet që shtrihen në Pollog dhe ky rezultat do të prodhojë efekte të fuqishme që do të ndikojnë në të ardhmen politike të BDI-së.

Por, kjo nuk do të thotë se nga krateri i hapur i rrënojave të saj nuk do të mbijnë forca të tjera politike, të udhëhequra nga kushedi kush tjetër, por se partia që mblidhte rreth vetes qindra mijëra mbështetës nuk do të ekzistojë më.

Të parët, më të rëndësishmit dhe më të ndershmit mes atyre që nesër do të vajtojnë “vdekjen” e BDI-së janë shumica dërrmuese e bashkëqytetarëve tanë që historikisht janë identifikuar dhe e kanë mbështetur atë. BDI ishte produkt i një vale zemërate e shprese që përfshiu shumëkënd në kapërcyellin midis regjimit të vjetër dhe sistemit të ri. Në fillim ajo arriti të lidhte fijet e të gjithë atyre që ëndërronin një jetë më dinjitoze për shqiptarët, pa dhunë shtetërore dhe atrofizim burokratik. Në dekadat pasuese, pavarësisht rrudhjes, BDI ia doli të ishte përfaqësuesja e një blloku shoqëror të ngjizur nga urrejtja, pakënaqësia dhe refuzimi i pakompromis i të shkuarës. Po, ç’është më e rëndësishmja, BDI vijoi të mëtonte të ishte përfaqësuesja e asaj shtrese të gjerë shoqërore e cila u la pas, edhe qëllimisht, nga procesi i modernizimit të dhunshëm e të pjesshëm të Maqedonisë së Veriut nga burokracia e sistemit të kaluar. Të gjendur kryesisht në provinca, por edhe si klasë punëtore shqiptare e nëpërkëmbur e qyteteve të mëdha, kjo shtresë e gjerë shoqërore ishte shtylla kurrizore njëzetëvjeçare e BDI. Me këtë parti ata nuk i lidhte vetëm mllefi ndaj të shkuarës, por edhe fakti se mobilitetin social të tridhjetë viteve të fundit– ata ia atribuonin jo vetëm krahëve të tyre, por edhe shanseve që u krijuan nga përmbysja e sistemit të vjetër dhe liria e epokës sonë. Ky bllok heterogjen nuk mund të kishte unitet nëse nuk identifikohej me një figurë karizmatike, jeta e të cilit ishte mishërimi i kontradiktave të brendshme të tyre: Ali Ahmeti si ish-komunist dhe i përndjekur nga komunistët jugosllavë, bir i një familjeje modeste, “pajtues historic” (“bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”) dhe revanshist (“bijtë e etërve”), oportunist në të njëjtën kohë.

Ky bllok shoqëror ishte produkt i historisë dhe nuk mund të mbijetonte përtej kushteve që e prodhuan. Fakti që ajo po perëndon së bashku me Ali Ahmetin është nga ato aksidente historike që fshehin një logjikë domosdoshmërie. Mirëpo këta qindra mijëra bashkëqytetarë – vuajtjet dhe arritjet e të cilëve meritojnë respektin maksimal – janë të vetmit vajtimi i të cilëve duhet pritur me mirëkuptim; ndonëse nuk duhet të mënojmë t’ua themi të vërtetën në sy: Është koha që të ndaheni dhe të bashkoheni me forca tjera politike, legjitimiteti i të cilave nuk do të bazohet më tek e shkuara, por në interesat shoqërorë të së tashmes dhe aspiratat e të ardhmes. Politika e bazuar në nostalgji e melankoli, në rastin më të mirë, është shterpe.

Vijmë në rrathët e të pandershmëve. Në fillim qëndrojnë klikat rreth Artan Grubit dhe Ali Ahmetit. Bëhet fjalë për dhjetëra vetë – në rastin më të mirë pak qindra – nga ata që i shoqërojnë të dy nëpër mbledhje, konferenca shtypi dhe nxjerrin fytyrën në televizione. Janë hipotekuesit (tashmë imagjinarë) të privilegjeve që do të gëzonin nëse BDI e kontrolluar nga i pari ose i dyti do të ngelet në pushtet. Ata që pikasin nga larg postet ministrore, pozicionet fituese në listat e deputetëve, vendet drejtuese në agjencitë e mëdha publike, si dhe çdo post të mundshëm ku mund të bëhet para e madhe përmes allishverisheve me ndërmjetësinë e shtetit dhe në kurriz të popullit. Sot ndihen jo vetëm se vallja e çmendur ku hynë do t’ju dalë duarsh, por edhe sepse në këto kushte, pa perspektivë për ngelje në pushtet, do të humbin edhe mbështetjen financiare të oligarkëve dhe ustallarëve të nëntokës kriminale. Kujtojmë se financuesit e mëdhenj të partive janë subjekte racionale, të cilët e shohin darovitjen si investim që do të prodhojë fitime të mëdha në të ardhmen e parashikueshme. Në këto kushte, kush vë më bast për një kalë të ngordhur?!

Si në çdo organizëm burokratik të gangrenizuar, poshtë klikës shtrihet një grup më i gjerë burokratësh të nivelit të mesëm e të ulët, ëndrrat e të cilëve nuk e kapërcejnë pragun e “një copë magazine” – kupto: drejtor, shef, doganier, nëpunës etj. Deri më sot këta kanë qenë skeleti i partisë. Njerëz që dikur kanë pasur një post, ku mund ta milnin ndopak shtetin ose të paktën të vinin festen mbi sy e të shkonin në bankomat një herë në muaj. Nëse u ka kaluar mosha apo janë rehatuar gjëkundi, ata aspirojnë të përdorin instrumentet klientelisto-patrimonialiste për t’u siguruar fëmijëve një vend pune në shtet apo në ndonjë biznes/ojq të afërt me partinë. Ata janë me të gjitha dhe me asnjërën palë njëkohësisht.

Vajtuesit më të zëshëm, ndonëse më pak të sinqertët në këtë mes, janë copëza të shtresës së mesme urbane – diku intelektualë, analistë, gazetarë, ojëqëistë, një turli primouomosh e primadonash që i janë bashkëngjitur BDI, duke mëtuar një distancë hipokrite paanësie. Zëri i tyre ushton shumë më fort se përmasat shoqërore dhe fuqia politike për shkak se janë në qendër të kuzhinës ku gatuhen lajmet, opinioni dhe idetë që më pas i shërbehen shoqërisë. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me njerëz të ndershëm që duan t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri (kupto: duan ndryshimin) duke përdorur duart e të tjerëve (kupto: militantët e BDI). Shumë syresh janë në pozita aq të rehatshme ekonomike e gëzojnë status të lakmueshëm social, saqë të mos e shohin angazhimin politik përtej vigjilencës reaktive në rrjetet sociale apo ndonjë poze në mitingjet e BDI. Ata nuk kanë as kohë, as durim dhe aq më pak guxim për t’u marrë me organizim të mirëfilltë politik. Ky i fundit kërkon vetëmohim, që është i kundërti i vetëkënaqësisë. Në lartësitë imagjinare ku e projektojnë veten, populli, në rastin më të mirë, iu duket një fëmijë arrakat që duhet edukuar dhe jo shumësia e bashkëqytetarëve të barabartë e barasvlefshëm. Nëse më të famshmit prej tyre do t’i përkufizonim si intelektualë tradicionalë, iluzioni se në kohët e sotme mund të jenë ndërgjegjja e kombit (si qëmoti) i bën të duken jo vetëm anakronikë, por edhe moskuptues të realitetit si fushë forcash e mbarsur me potenciale ndryshimi. Ndonjë syresh e imagjinon veten Monsieur de Voltaire të ditëve tona, që me fuqinë e mendimit do ta përdorte Aliun apo Grubin si dash për të shembur muret e kështjellës së LSDM së Zaevit.

Meqë jemi te LSDM dhe Zaevizmi, mund të thuhet se urrejtja e tyre për të është e sinqertë, paçka se dobësia e mendimit politik ua pamundëson ta kuptojnë strukturalisht funksionin e tij: jo si tiran i gjithëpushtetshëm, por si nyje lidhëse e interesave të oligarkëve ekonomikë dhe burokracisë politike. Thellë-thellë ata duan të njëjtin sistem, me ndonjë rregullim estetik. Është e njëjta logjikë – e nganjëherë edhe të njëjtët njerëz – që përpara disa viteve thoshin se Aliu duhej rrëzuar me çdo kusht e çdo mjet si e keqja absolute. Pa qenë të vetëdijshëm se e keqja mirëfilli absolute është kapitullimi ndaj të keqes, duke mbështetur ata që sot duken e keqja më e vogël dhe nesër e përdorin këtë kapital politik për t’u shndërruar në një të keqe më të madhe. Zaevizmi apo edhe Gruevizmi, për t’i rënë shkurt, nuk mund të rrëzohet pa rrëzuar strukturën ekonomiko-partiako-mediatike që e mban në këmbë.

Në këto kohëra do të shpaloset shpejt. Mirëpo s’bën të harrojmë mësimin kryesor të saj: çdo krizë hap një derëz nga ku mund të kalojë edhe Mesia, edhe Antikrishti. Është në dorën tonë që nesër të mos qahemi se ramë nga shiu në breshër.