Kasami bën homazhe në varrin e heroit kombëtar Beqir Limani

59

Kryetari i Komunës së Tetovës z. Bilall Kasami sot ka realizuar një vizitë në varrin e dëshmorit të lavdishëm të UÇK-ësë Beqir Limani.

👇🏻

“Dëshmori Beqir Limani është emër që shënon histori, është emër me të cilin identifikohet lëvizja kombëtare shqiptare, është figura frymëzuese e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe është udhëheqësi i celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare këtu në Maqedoni. I formuar me frymëzimet e luftëtarëve më të mirë të Kërçovës, të Uskanës ilire, Beqir Limani e vendoi jetën e tij në shërbim të çlirimit kombëtar, në shërbim të idealeve të lirisë, me të cilat ai ishte brumosur gjatë gjithë veprimtarisë së tij në Kërçovë dhe më gjerë në gjithë hapësirat shqiptare.

Rezistenca e shqiptarëve nën regjimin e ish Jugosllavisë ka në piedestalin e vetë emrin e Beqir Limanit, veprimtarit të devotshëm, i cili që në vitet e 80-ta i’u kundërvu strukturave policore, të cilat e sulmuan me pretekstin e ndërtimit të një shtëpie. Ato në fakt, po sulmonin idealin e tij, veprimtarinë e tij, e cila po jehonte në mbrojtje të shqiptarisë nga sistemi i egër i ish Jugosllavisë.

Ne, sot, nderojmë emrin dhe veprimtarinë e tij kombëtare, sakrificën e tij që mbetet frymëzim lirie për shumë gjenerata. Njerëzit e rezistencës si Beqir Limani biografinë e tyre e shkruajnë nëpërmjet idealeve madhore, të cilat vijnë në formë të porosive. “Unë kam dhënë aq sa kam pasur mundësi për veprimtarinë, ndërsa për lirinë jam i gatshëm të jap edhe jetën”, ishte një nga porosit e shumta të Beqir Limanit.

Lavdi jetës dhe veprës së Beqir Limanit! 🇦🇱”  Ka thënë mes të gjithash Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami