Shkëndija ndërpret bashkëpunimin me trajnerin Akrapovic

40

Me një marrëveshje dypalëshe, Shkëndija dhe Bruno Akrapovic e kanë ndërprerë bashkëpunimin. Kështu ka njoftuar klubi tetovar.

Strategu boshnjak u rikthye në krye të kampionit në fuqi të Maqedonisë së Veriut në fillim të sezonit 2021/2022, pasi klubi e kishte shkarkuar trajnerin Ernest Gjoka në fund të muajit korrik.

“KF Shkëndija njofton se trajneri Akrapovic nuk do të jetë më shef i stafit teknik të kuqezinjve, pasi me marrëveshje të dyanshme është ndërprerë bashkëpunimi.

“Klubi dhe tekniku Akrapovic kanë konsideruar se ndërprerja e bashkëpunimit në këtë moment është në të mirë të të dyja palëve”.

“Me këtë rast, KF Shkëndija falënderon trajnerin Akrapovic për kontributin e dhënë gjatë periudhës përderisa e drejtoi skuadrën kuqezi, dhe i dëshirojmë shëndet dhe shumë suksese në karrierën e tij si trajner”, thuhet në njoftimin e klubit nga Tetova.

Shkëndija është aktualisht e dyta në renditjen tabelare në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut me 13 pikë prapa liderit Shkupi. Në 25 ndeshje të zhvilluara ka regjistruar 13 fitore, nëntë barazime dhe tri humbje.