Biden: Komentet ndaj Putinit, “zemërim moral”

13

Presidenti amerikan, Joe Biden, u ka thënë gazetarëve më 28 mars se ai nuk kërkon falje që ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin nuk duhet të mbetet në pushtet.

Ai ka bërë deklaratat për presidentin rus gjatë mbajtjes së një fjalimi në Varshavë më 26 mars, dhe fjalët e tij janë interpretuar se Biden ka bërë thirrje për ndryshim të regjimit.

Shtëpia e Bardhë dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kanë sqaruar deklaratat gjatë fundjavës dhe vetë Biden ka thënë më 28 mars se komentet kanë qenë shprehje e “zemërimit moral”, dhe nuk synojnë politikë të re.

Biden ka thënë se “nuk ka qenë duke artikuluar ndryshim të politikave”, mirëpo ka thënë se zemërimi i tij ka ardhur menjëherë pasi ka vizituar refugjatët ukrainas në Poloni.

“Askush nuk e beson se unë po flisja për rrëzimin e Putinit”, ka theksuar Biden.

“Gjëja e fundit që dua është që të përfshihem në luftë tokësore me Rusinë”.

Ai e ka mohuar se fjalët e tij ndaj Putinit dhe qëndrimit në pushtet mund të konsiderohen nga Rusia si propagandë dhe ka theksuar se NATO-ja nuk ka qenë kurrë më e bashkuar.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.