Komuna e Zhelinës edhe me një projekt në shërbim të qytetarëve

63

Ky projekt është projekt i parë në Maqedoninë e Veriut, gjithashtu edhe implementim i parë do të realizohet në Komunën e Zhelinës

Fjala është për projektin e fituar vetëm nga komunat e rajonit të Pollogut: Zhelinë, Tearcë dhe Jegunovcë për përmirësimin e shërbimeve sociale ndaj pleqëve që nuk kanë askend për përkujdesje.

Projekti për përmirësimin e shërbimeve sociale financohet nga Banka Botërore përmes Ministrisë për punë dhe politikë sociale, dhe kjo përfshinë ndihmën dhe përkujdesjen ndaj pleqëve të kategorisë sociale. Vlera e këtij granti është 14.857.000 denarë.

Në mungesë të një hapësire adekuate për përkujdesje të pleqëve në rajonin e Pollogut, ky projekt do të mbulojë aktivitete të jetës së përditshme, deri në 80 orë në muaj, për persona me kapacitet të kufizuara, të cilët nuk mund të kujdesen për veten, me qëllim që të vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë e tyre për të pasur një jetë të pavarur në bashkësi.
Ky projekt për herë të parë aplikohet në komunën e Zhelinës, Tearcës dhe Jegunovcës, e që do të realizohet përmes shoqatës ‘Milenium’-Tetovë.

Në këtë projekt do të mund të kandidojnë të gjithë personat e interesuar të cilët kanë të përfunduar së paku arsimin e mesëm dhe të njëjtit do të trajnohen në periudhë prej gjashtë muajve.

Në Komunën e Zhelinës nga ky projekt do të përfitojnë rreth 30 familje, të cilëve do tju ofrohen shërbime në përputhje me regulloren për mënyrën dhe fushën e shërbimeve sociale e cila siguron ndihmë në plotësimin e nevojave elementare si: higjienë personale, mbathje, përgatitje e ushqimit, blerje e produkteve ushqimore, dhënie e terapisë personale dhe përkujdesje.