“Menytë e Ramazanit” shumë të shtrenjta, ekonomistë e hoxhallarë kritikojnë restorantet për çmime të larta

90

Për çdo fillim të muajit të Ramazanit, rrjetet sociale mbushen me reklama mbi ofertat e restoranteve të ndryshme për iftar. Madje, jo rrallëherë ‘menytë e Ramazanit’ janë të sponsorizuara duke tentuar që konsumatorët të njihen me mundësitë e darkimit në kohë të muajit më të shenjtë të myslimanëve.

Por, ajo që zakonisht bie në sy është çmimi i lartë. Nga 8, 12 e 16 euro janë disa nga çmimet e zakonshme të menyve të Ramazanit nëpër restorantet e lokalet në Prishtinë.

Facebook e Instagram, dy nga rrjetet shumë të përcjella nga kosovarët, janë përplot me reklamime të ofertave për iftar, koha kur myslimanët ndërpresin agjërimin.

Shumë nga restorantet nuk ofrojnë mundësi të darkimit për iftar jashtë menysë të përgatitur enkas për Ramazan.

Shpeshherë, restorantet kanë pranuar kritika në Facebook rreth çmimeve të larta e tashmë një praktikë e tillë është kthyer edhe në shaka.

“Allahu i shpërbleftë pronarët e restoranteve, që me ofertat e tyre të Ramazanit, po e kthejnë bereqetin në shtëpia”, shkroi një qytetar.

Hoxha i njohur nga Drenasi, Osman Musliu, thotë se Ramazani na sjell në kujtesë nevojën për një etikë përfshirë atë në tregti.

Bazuar mbi këtë, hoxha thotë se nuk është e udhës të rriten çmimet.

“Konsideroj se ky shtrenjtim i menyve në Ramazan nuk është aspak etik, aq më shumë kur e kujtoj që nuk përputhet me qëllimin primar të këtij muaji. Standardi i të ardhurave dhe çmimi i menyve më duket se nuk janë askund afër”, deklaroi Musliu për Gazetën Nacionale.

Ndërsa ekonomisti Lulzim Beqiri, thotë se çmimet e restoranteve nuk korrespondojnë me të ardhurat e kosovarëve.