Zgjedhjet që “i dhanë fund demokracisë”

21

Zyrtarët zgjedhorë në Hungari kanë njoftuar se numërimi fillestar i votave sugjeron se Viktor Orban dhe partia e tij, Fidesz, kanë shënuar fitore në zgjedhjet e mbajtura më 3 prill.

Për shkak të sistemit të komplikuar të votimit në Hungari, shifrat ka të ngjarë që të ndryshojnë pak gjatë javës së ardhshme.

Por, rezultati i pritshëm është që partia e krahut të djathtë, që është në pushtet, Fidesz, do të ketë një shumicë prej dy të tretave në legjislaturën e re, gjë që e lejon atë të qeverisë pa u sfiduar.

Vëzhguesit e zgjedhjeve ishin të befasuar me fitoren e thellë, pasi sondazhet parazgjedhore sugjeruan se do të ishte një garë e ngushtë. Edhe pse votat ende janë duke u numëruar, në zgjedhjet ku pati një dalje të madhe prej rreth 70 për qind të 8 milionë votuesve në Hungari, diferenca e madhe e fitores dhe faktorët e tjerë, ka të ngjarë që t’iu japin vëzhguesve arsye për shqetësim.

“Një ‘zgjedhje e vjedhur’ nënkupton që dikush ka thyer të gjitha rregullat. Dhe e dini, ajo që Orbani është aq i mirë që të shpikë rregulla që i duhen për të fituar”, tha për Radion Evropa e Lirë, Kim Lane Scheppele, profesoreshë në Princeton. Scheppele, e cila është autore edhe e librave për sundim të ligjit, e bëri këtë deklaratë disa orë pas mbylljes së vendvotimeve në Hungari.

Më poshtë mund të mësoni gjashtë gjërat kryesore nga zgjedhjet hungareze:

1. Një fitore më e madhe sesa pritej
“Ne korrëm një fitore kaq të madhe sa që mund ta shihni nga Hëna dhe sigurisht që mund ta shihni nga Brukseli”, tha Orban në fjalimin e tij, në të cilin shpalli fitoren.

Shumica e sondazheve parazgjedhore sugjeruan për një hendek midis partisë Fidesz dhe opozitës së bashkuar me 4 deri në 7 pikë të përqindjes, kryesisht në favor të partisë së Orbanit, Fidesz.

Kjo është një diferencë e konsiderueshme në çdo rrethanë. Po ashtu, sistemi zgjedhor dhe një rund i vetëm i zgjedhjeve, shihen si gjëra që e favorizojnë Fideszin.

Më 4 prill, rezultatet preliminare sugjeruan se Fidesz mund të ketë fituar 136 nga 199 ulëset e Parlamentit, duke i lejuar kësaj partie që të ketë një shumicë prej dy të tretave dhe i lejon që të bëjë ndryshime Kushtetutës dhe të çfarëdo legjislacioni tjetër nëse dëshiron.

Për më tepër, partia e re e krahut të djathtë, Atdheu im, që po shihet si aleat potencial i Fideszit – dhe mendohet se ka marrë vota nga elektorati i partisë së djathtë opozitare Jobbik –duket se ka fituar shtatë ulëse të tjera në Parlament.

“Ky është një shok i plotë”, tha Scheppele, e cila ka kaluar vite në Hungari duke studiuar proceset e Kushtetutës postkomuniste. “Mendoj se askush nuk do të befasohej nëse Fidesz do të fitonte. Ajo që është krejtësisht shokuese është madhësia e fitores”.

Sondazhet hungareze jo gjithmonë janë të sakta dhe madje shpesh janë të njohura për anshmërinë e tyre. Por, me 98 për qind të votave të numëruara, Fidesz pritet të fitojë 88 nga 106 qarqet që funksionojnë sipas sistemit mazhoritar përmes një rundi të vetëm.

Fidesz ka fituar 53 për qind ndaj 35 për qind sa mori koalicioni opozitar “Të Bashkuar për Hungarinë”. “Asnjë sondazh nuk e parashikoi këtë”, tha Scheppele. “Sondazhet kurrë më herët nuk kanë gabuar kaq shumë në parashikime”, shtoi ajo.

Ndarjet e ulëseve në Parlament me siguri do të ndryshojnë pak kur të numërohen votat nga jashtë vendit. Por, shifra të tilla ofrojnë një “prirje shumë të madhe për të thelluar diferencën”, tha Scheppele.

2. Gara e pabarabartë
Opozita hungareze më në fund i bashkoi forcat. Por, as një opozitë e bashkuar nuk dëshmoi se mund ta heqë nga pushteti Qeverinë “joliberale”, e cila ka fituar tri mandate radhazi dhe dominon skenën politike që prej vitit 2010.

Në atë kohë, Orban ka ndryshuar Kushtetutën dhe aspektet kryesore të ligjeve të zgjedhjeve, si dhe ka konsoliduar kontrollin e pothuajse të gjitha mediave kryesore në shtet.

Pothuajse në të gjitha aspektet para votimit, opozita ishte më e organizuar se në çdo palë zgjedhje që janë mbajtur viteve të fundit.

Nën moton “Të Bashkuar për Hungarinë”, opozita arriti që vitin e kaluar të mbante zgjedhjet paraprake, në të cilat Peter Marki-Zay – politikani konservator, kryetar i një komune dhe pak i njohur për opinionin– u zgjodh për të sfiduar Orbanin. Por, në natën e zgjedhjeve, Marki-Zay, i rrethuar vetëm nga familja e tij, mbajti një fjalim ku pranoi humbjen.

Përreth tij nuk u panë aleatët opozitarë.

Marki-Zay madje duket se do të humbë në qarkun e tij, me rreth 12 pikë. Ai tha se opozita e bashkuar “e pranon fitoren” e Fideszit, pavarësisht “mashtrimit” dhe “shpëlarjes së trurit” që kjo parti kishte bërë. Ai tha se duke përdorur mediat miqësore, Fidesz bëri “një luftë të pabarabartë”.

“Që këto zgjedhje ishin demokratike dhe të lira, natyrisht është diçka që ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë”, shtoi Marki-Zay.

Koalicioni opozitar “Të Bashkuar për Hungarinë” përbëhet nga Partia Socialiste hungareze, Koalicioni Demokratik, partia e ekstremit të djathtë Jobbik, Partia e të Gjelbërve, Partia për Dialog të Gjelbër për Hungarinë dhe partia e qendrës, Lëvizja Momentum.

Scheppele theksoi se peizazhi mediatik i dominuar nga Fidesz e bëri shumë të vështirë për Marki-Zayn dhe aleatët e tij që të përçonin mesazhin tek audienca.

Në vend se ta cilësonte si dështim përpjekjen e opozitës, Scheppele tha se “mendoj se ajo që ju thoni është se ata kanë luajtur lojën në një fushë të pabarabartë”.

3. Armiqtë e Orbanit po shtohen

Orban menjëherë u mburr duke thënë se “ne fituam më së miri kur të gjithë u bënë bashkë kundër nesh”.

Ai përmendi “qendra dhe organizata të mëdha ndërkombëtare”, një aludim për armiqtë e Orbanit sikurse Bashkimi Evropian ose përpjekjet e George Soros për promovimin e demokracisë.

Dhe, natyrisht, ai vazhdoi ta portretizonte Marki-Zayn si një kukull të Ferenc Gyurcsanyt, ish-kryeministrit hungarez, i cili u rrëzua nga pushteti më 2010.

Jennifer McCoy, hulumtuese në Institutin për Demokraci në Universitetin Shtetëror të Gjorgjias në Atlanta, theksoi se “besnikëria partiake, në aspektin negativ…. që po shohim në vendet e polarizuara” ka prezencë të madhe në Hungari.

“Qytetarët më shumë votojnë kundër një kandidati sesa që votojnë për kandidatin e tyre”, tha ajo gjatë një diskutimi.

Por, Orban po ashtu foli edhe për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili muajin e kaluar tha se lideri hungarez po heziton që t’u bashkohet aleatëve të NATO-s dhe BE-së për të ndihmuar me furnizimin e Kievit me armë që prej se Putini nisi luftën ndaj Ukrainës më 24 shkurt.

Në natën e zgjedhjeve, Orban e përshkroi Zelenskyn si një “kundërshtar”.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, gjatë fjalimit ku shpalli fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e 3 prillit.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, gjatë fjalimit ku shpalli fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e 3 prillit.

Mujtaba Rahman, drejtor në Grupin për Evropë dhe Euroazi, që merret me konsulencë, parashikoi se “fitorja e tij do ta inkurajojë edhe më shumë Orbanin” që ta sfidojë në përgjithësi BE-në dhe “mendimin e majtë liberal” në veçanti, sidomos nëse ky mendim është i ngulitur brenda partive konservatore evropiane.

“Edhe më shqetësuese, ai [Orban] do të ndihet i lirë që të krijojë raporte edhe më miqësore me Vladimir Putinin dhe autokratët e tjerë lindorë”, tha ai.

“Me pak fjalë, Brukseli duhet të përgatitet për telashe të reja, sepse gjithçka që më parë urrente, për kryeministrin rebel të Hungarisë tani me siguri do të intensifikohet, të paktën në muajt e ardhshëm, por sipas të gjitha gjasave, për katër vjetët e ardhshëm”, tha Rahman.

4. Parregullsi të mundshme në votime

“Duken sikur zgjedhje që janë masazhuar në mënyrë ligjore”, tha Scheppele, teksa dolën rezultatet e para.

“Kështu operon Orbani, ai e bën ligjore gjithçka që i duhet”, shtoi ajo.

Përderisa fitorja e përgjithshme e Fideszit është praktikisht e siguruar, numrat dhe modelet specifike, provat për parregullsi mund të dalin në sipërfaqe.

Marki-Zay gjatë fjalimit të tij pas zgjedhjeve paralajmëroi për parregullsitë zgjedhore:

“Që këto zgjedhje ishin demokratike dhe të lira, sigurisht është diçka që ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë”.

Kandidati opozitar, Peter Marki-Zay, duke iu adresuar mbështetësve të tij në Budapest në natën e zgjedhjeve të 3 prillit.
Kandidati opozitar, Peter Marki-Zay, duke iu adresuar mbështetësve të tij në Budapest në natën e zgjedhjeve të 3 prillit.

Përveç votimit përmes sistemit mazhoritar dhe avantazheve të tjera që në thelb kërkojnë që opozita të ketë 4-5 pikë të përqindjes për ta kaluar partinë Fidesz dhe për ta rrëzuar Orbanin, analistët paralajmëruan edhe për të ashtuquajturin “turizëm të votuesve”.

Kjo pasi sipas legjislacionit të ri, votuesve brenda dhe jashtë vendit u lejohet që të regjistrohen në çdo qark që ata zgjedhin. Ky ndryshim i ligjit, lejon që votat të mobilizohen, të drejtohen apo të transportohen në vende ku diferencat janë të ngushta, paralajmëruan ekspertët.

Po ashtu, mund t’i japë një goditje një prej arritjeve më të mëdha të opozitës: aftësinë e saj për të paraqitur kandidatë të përbashkët në secilën nga 106 zonat zgjedhore të vendit ku aplikohet sistemi me vetëm një mandat.

Hungarezëve ligjërisht u ndalohet që të veprojnë si vëzhgues zgjedhorë. Por, opozita arriti që të rekrutojë afër 20,000 vullnetarë që të qëndronin jashtë qendrave të votimit dhe të merrnin pjesë në projektin e quajtur “Vota e pastër”.

Imazhet e shpërndara gjerësisht të furgonëve që transportonin grupe votuesish për në qendra të votimit, sugjeronin për një përpjekje të organizuar për të lëvizur votuesit nëpër vend. Projekti “Vota e pastër” shpërndau video të tilla në faqen e tij në Facebook.

Scheppele tha se ajo do të presë dhe do ta analizojë situatën, por shtoi se Fidesz duket se ka siguruar 300,000 votues të rinj. “Dhe lind pyetja: Kush janë këta 300,000 votues të rinj që nuk votuan në zgjedhjet e kaluara?”, tha ajo.

Këto janë disa prej parregullsive që mund të marrin vëmendjen e autoriteteve zgjedhore hungareze në ditët në vijim. Por, Scheppele tha se Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve ka një udhëheqje të re që gjerësisht shihet si më e “afërt” me partinë Fidesz sesa në zgjedhjet e mëhershme.

“Këtë duhet ta shohim”, shtoi ajo.

Ndërkaq, një mision i plotë i vëzhguesve të jashtëm është në Hungari.

Kjo është hera e dytë në histori që Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka kërkuar që të ketë një mision të plotë vëzhgues në një shtet të BE-së. Kjo për shkak të shqetësimeve për mundësi të mashtrimeve në zgjedhje, anësi të mediave dhe përdorim të burimeve shtetërore.

5. Zgjedhjet që mbetën një hije nga lufta

Përgjigjja e Orbanit për pushtimin rus të Ukrainës dhe për 4 milionë refugjatët që kanë ikur nga Ukraina, ka qenë dënim për shkeljen territoriale kundër një shteti fqinj. Ai, po ashtu, u është bashkuar sanksioneve perëndimore, por me vendosmëri ka kundërshtuar që të ndihmojë direkt BE-në dhe aleatët e NATO-s për furnizimin me armë dhe asistencë të sigurisë për Ukrainën dhe forcat që qëndrojnë pas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përgjatë viteve, Orbani me kujdes ka krijuar raporte të afërta diplomatike dhe tregtare me Moskën dhe Putinin, përfshirë edhe importet e energjisë.

Në shkurt, teksa tensionet me Moskën ishin të larta pasi dhjetëra-mijëra trupa ruse ishin pozicionuar pranë kufijve të Ukrainës, Orban udhëtoi në Soçi për t’u takuar me Putinin dhe në atë takim njoftoi për një marrëveshje për importe shtesë të gazit natyror nga Rusia.

Analistët fajësojnë një varësi në rritje nga energjia ruse dhe grindjet e kamotshme me Kievin lidhur me çështjen e minoritetit etnik hungarez në Ukrainë, për përgjigjen e Orbanit sa i përket luftës.

“Shoqëria hungareze ka ndryshuar komplet qasjen sa i përket luftës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Andrea Szabo, analist politik.

Ka gjasa që pozicioni jokonfrontues karshi luftës i Orbanit, gjë që ka lejuar vazhdimin e ardhjes së furnizimeve me gaz, është në linjë të njëjtë me votuesit e zakonshëm hungarezë.

“Çfarë është befasuese është se perceptimi si mbështetës më i madh i Kievit sesa i Moskës, në dukje është përgjegjësi më e madhe politike”, shkroi para zgjedhjeve Zsuzsana Vegh për Aleancën për Sigurimin e Demokracisë, një institucion i Fondit Marshall.

6. Demokracia drejt fundit?
“Së fundi kemi dëgjuar plot marrëzira lidhur me atë se a ka demokraci në Hungari”, është cituar të ketë thënë sekretari i shtetit, Zoltlan Kovacs, në natën e zgjedhjeve. “Demokracia hungareze në 12 vjetët e fundit nuk është dobësuar, por është forcuar”, ka thënë ai, sipas agjencisë AP.

Organizata konservatore me seli në Budapest, Qendra për të Drejta Fondamentale, tha se zgjedhjet e 3 prillit “ishin ngjarja më e rëndësishme në demokracinë hungareze në këtë epokë, pas tranzicionit nga komunizmi”.

Ishin historike, por kritikët sugjerojnë se zgjedhjet ishin historike për arsye të gabuara.

Në prag të një mandati të ri, Obran ka qenë në pushtet për 16 vjet në 24 vjetët e fundit.

Dhe kjo, sipas analistëve, është një paralajmërim i qartë.

“Janë një lloj zgjedhjesh historike që shënojnë fundin e demokracisë në vend se të lulëzimit të saj”, tha Scheppele dhe shtoi: “Kur Qeveria monopolizon pushtetin e medias, kur Qeveria vendos të gjitha rregullat, kur Qeveria përdor çdo aspekt të pushtetit për të blerë votuesit, kur kjo gjë funksionon, këto nuk janë brohoritje për demokracinë”.

Ajo tha se “të fitosh edhe një herë me një shumicë prej dy të tretave përballë kësaj, shpjegimi i vetëm është se kjo fitore arrihet duke monopolizuar të gjitha gjërat e rëndësishme të zgjedhjeve”.

McCoy pajtohet. “Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë ata që besojnë në demokraci duhet të shikojnë me kujdes shtetet dhe liderët se si ata gradualisht shkatërrojnë demokracinë dhe vendosen në pushtet”, tha McCoy.

“Është një proces i ngadalshëm. Prandaj, shpesh injorohet, derisa rrënjoset aq thellë, sikurse në këtë rast”.

Avantazhet ligjore, mungesa e qasjes së opozitës në media, financimi i parregullt i fushatës dhe përdorimi i fondeve publike në favor të kandidaturës së Orbanit, janë të gjithë faktorë të rëndësishëm, tha McCoy.

“Këto zgjedhje ishin pothuajse të pafitueshme nga çdo kundërshtar, duke pasur parasysh avantazhet strukturore që Fidesz veçse ka krijuar për vete”, tha McCoy.

BURIMI: Evropa e Lirë