Këtë muaj nis dërgimi i ndihmave të Kosovës për Ukrainën

29

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka zyrtarizuar marrëveshjen me Shoqatën Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, për ofrimin e ndihmës humanitare dedikuar popullit të Ukrainës.

Marrëveshja është nënshkruar nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Behar Isma dhe drejtori i Shoqatës “Nënë Tereza”, Zef Shala.

Kjo marrëveshje e pason vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 mijë eurove për blerjen e kontingjentit të parë të ndihmave humanitare për popullin e Ukrainës.

Me këtë marrëveshjet palët janë dakorduar që Shoqata Bamirëse “Nënë Tereza” të bëj përgatitjen e pakos humanitare me produkte esenciale nga Kosova, dhe më pas, me partnerët e saj ndërkombëtarë të shpërndaj këto ndihma në shtetet ku refugjatët ukrainas janë duke u strehuar.

Pakoja humanitare do të përmbajë produkte esenciale që përfshijnë higjienën dhe kujdesin personal, akomodim dhe ushqime. Blerja, paketimi vendosja e shenjave dalluese të Republikës së Kosovës, dhe nisja e pakove humanitare do të bëhet brenda 20 ditëve në vijim.

Isma dhe Shala kanë theksuar se janë të kënaqur që ky proces tashmë është finalizuar dhe janë shprehur të lumtur që Republika e Kosovës do të kontribuojë sado pak në mirëqenien sociale të popullit të Ukrainës që po përballet me agresionin rus.