Rusia do ta shesë gazin e saj natyror vetëm në këmbim të rublës. Njoftimin e bëri vetë presidenti, Vladimir Putin, që nënshkroi një dekret me rregulla të reja tregtare me shtetet e konsideruara jomiqësore, kryesisht ato evropiane. Këto të fundit do të detyrohen të hapin llogari bankare në rubla, në bankat ruse dhe me anë të tyre të bëjnë pagesat. Putin paralajmëroi ndërprerje në furnizime nëse këto kushte nuk pranohen nga evropianët.
“Nëse këto pagesa nuk do kryhen, ne do ta konsideronim si dështim të blerësve për të përmbushur angazhimet e tyre me të gjitha pasojat përkatëse. Askush nuk na shet diçka falas dhe as ne nuk bëjmë bamirësi. Kjo do të thotë se kontratat ekzistuese, në rast të mospagesës së gazit në rubla, do të ndërpriten”, u shpreh Putin, raporton A2CNN.
Presidenti rus tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që evropianët ta paguajnë më shtrenjtës furnizimin me gaz natyror. Gjithashtu lëshoi akuza ndaj Uashingtonit se po tenton të përfitojë nga situata duke i zgjidhur problemet e veta në kurriz të vendeve të tjera.
“Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të përfitojnë nga paqëndrueshmëria globale siç bënë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, gjatë agresioneve të tyre në Jugosllavi, Siri, Irak”.
Putin paralajmëroi një skenar apokaliptik për mbarë botën, por kryesisht për Europën. Sipas presidentit rus, pas krizës ushqimore do të pasojë një tjetër edhe më e rëndë.
“Për Evropën do të thotë një deindustrializim masiv dhe një humbje e miliona vendeve të punës, ndërkohë që çmimet e ushqimit, gazit dhe energjisë elektrike po rriten dhe standardi i jetesës së qytetarëve po ulet – është një çmim i tillë që elitat perëndimore në pushtet po u ofrojnë qytetarëve”. Putin u shpreh i bindur se perëndimi do të dorëzohet së shpejti dhe do të heqë sanksionet e vendosura kundër Rusisë.