Dita 35: Rusia është zotuar për tërheqjen e trupave, për Ukrainën është vetëm mashtrim

22

Agresioni rus në Ukrainë ndodhet në ditën e 35-të. Disa njësi ruse që pësonin humbje të mëdha në Ukrainë ishin detyruar të ktheheshin në shtëpi dhe në Bjellorusinë fqinje, njoftoi inteligjenca ushtarake britanike një ditë pasi Rusia premtoi zvogëlimin e operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe një qyteti tjetër. Ndërkohë sipas agjencisë së lajmeve Interfax Ukrainë, forcat ruse në Ukrainën lindore raportohet se kanë bombarduar zonat e banuara të qytetit Luhansk të Lysychansk. Kreu ushtarak rajonal i Luhansk, Serhiy Haidai, shkroi në kanalin e tij Telegram se granatimet filluan rreth orës 6:30 të mëngjesit me kohën lokale. Haidai thotë se “ndërtesat e larta janë shkatërruar ndjeshëm” dhe “raportohet për viktima”.

10:26 – Biden: Të shohim nëse Rusia do t’i përmbahet asaj që thotë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se do të ndjekë se çfarë do të ndodhë më tej në terren pasi Rusia njoftoi se do të reduktonte ofensivën në dy qytete të Ukrainës.

“Do të shohim. Kjo nuk do të thotë asgjë për mua derisa të shoh veprimet e tyre. Do të shohim nëse do t’i përmbahet asaj që thotë. Thjesht të shohim se çfarë kanë për të ofruar”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, Biden tha se SHBA dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të zbatojnë sanksionet gjithëpërfshirëse që vendosën ndaj Rusisë si hakmarrje për luftën e saj kundër Ukrainës dhe do të vazhdojnë të dërgojnë ndihmë ushtarake për të forcuar ushtrinë ukrainase.

09:31 – Britania: Njësitë ruse po kthehen në Bjellorusi dhe Rusi për furnizim

Përqendrimi i Rusisë në një ofensivë në rajonin e Donjeckut dhe Luhanskut është “një pranim i heshtur” se ajo po ka vështirësi që të mbajë më shumë se një front të ofensivës, tha Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Njësitë që kanë pësuar humbje të mëdha janë detyruar që të kthehen në Rusi dhe Bjellorusi për t’u rifurnizuar dhe riorganizuar, gjë që po vendos preson “mbi logjistikën tashmë të mbingarkuar të Rusisë”, tha Britania.

Ministria e Mbrojtjes tha se forcat ruse me gjasë do të kompensojnë aftësinë e reduktuar të manovrimit tokësor përmes sulmeve masive të artilerisë dhe sulmeve me raketa.

Rusia tha më 29 mars se do të zvogëlojë aktivitetet ushtarake përreth Kievit dhe Çernihivit dhe paraprakisht ka thënë se do të përqendrojë operacionet e saj ushtarake në rajonet lindore ukrainase.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara janë shprehur skeptike për zotimin e Rusisë për tërheqjen e trupave./Portalb.mk