KOMUNIKATË E KLUBIT TË VETERANËVE TË UÇK-SË BRIGADA 112 “MUJDIN ALIU për deklarimet e Ali Ahmetit lidhur me ushtarët e UÇK-së

99

Në këtë kohë krize, në këtë kohë eksodi, të harxhosh 100 mijë euro, para të popullit, për të shëruar komplekset infantile të personave të frustruar, është e patolerueshme. Ky festim që zgjati për tre ditë është vetëm vazhdimësi e mënyrës së çdo ditshme të azdisur të sjelljes së tyre me paratë tona. Që është edhe më e keqja ata po keqpërdorin në çdo vend publik emrin e Ushtrisë Çlirimtare, sikur ajo të jetë Ushtri Klandestine dhe pastaj të mburesh se gjoja 80% e ish luftëtarëve të UÇK-së janë të punësuar është tallje me dinjitetin e ushtarit të lirisë, tallje me gjakun e dëshmorëve dhe të familjarëve të tyre.

Të nderuar uzurpues të amblemës së ndritur të UÇK-së, do ta keni të kotë të vazhdoni me pallavra të këtilla pasi sot edhe një fëmijë e di se ku i keni të katandisur për 20 vite luftëtarët e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ju perveç që tradhëtuat amanetin e luftëtarëve nga një luftë për bashkim kombëtar, ju e transformuat në luftë për vëllazërim-bashkim me sllavët, por me një emër të ri “Open Ballkan”.
Ju lutem të flisni vetëm në emër të klanit të quajtur BDI dhe mos të prekni në plagët e ushtarëve, së paku të kishit turp kur të flisni kinse i keni sistemuar ushtarët.
E vërteta flet ndryshe, komandantat u vranë në mënyrë misterioze, shumë ushtarë u vranë pas luftës e ata që ishin idealistë të vërtetë i latë rrugëve të braktisur pa purkujdesje, pa vend pune, duke i futur në varfëri ekstreme. Në këtë realitet janë 80% e ushtarëve, e kundërta e asaj që e thoni ju, por ne nuk përkulemi kurrë karshi politikave tuaja klanore diskriminuese dhe përbuzëse.