Lufta gjithëpërfshirëse e Rusisë ndaj Ukrainës po hyn në javën e saj të gjashtë, dhe ditët e fundit është vënë re një ndryshim në retorikë dhe në synimet e Vladimir Putinit. Meqë Kremlini gënjen mbi gjithçka, është gjithmonë e nevojshme të kemi prova reale të një tërheqjeje të trupave ruse ose ndonjë ndryshim të sjelljes së tyre.
Megjithatë, ky ndryshim duket si një konfirmim i vëzhgimeve në fushëbetejë se ushtria ruse është penguar në arritjen e objektivave të saj parësore, dhe tani do të përpiqet të shpëtojë një fushatë ushtarake katastrofike me një negocim të suksesshëm.
Siç tha dikur ish-sfidanti im në kampionatit botëror të shahut, Nigel Short, për ofertat e paqes: “Nëse kundërshtari ju ofron një barazim, përpiquni të kuptoni pse mendon se është më keq”. Kjo thënie do t’i përshtatej edhe taktikës së zakonshme të Putinit për të marrë territore me forcë, dhe më pas për t’iu drejtuar diplomacisë për të siguruar përfitimet e tij.
Qoftë e shtirur apo e vërtetë, presioni nga Ukraina dhe aleatët e saj ndaj Rusisë, duhet vetëm të rritet. Kharkiv dhe Mariupol u ngjajnë tani rrënojave dhe gërmadhave që la pas ushtria e Putin në Aleppo dhe Grozny. Megjithatë, armët që i duhen Ukrainës për ta penguar artilerinë ruse me rreze të gjatë, sulmet me raketa dhe bombardimet ajrore, po frenohen ende nga SHBA-ja dhe vendet e tjera të NATO-s.
Kjo duhet të jetë historia e vërtetë, dhe jo ndonjë polemikë rreth deklaratës së presidentit Biden, që thotë se Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”. Asnjë udhëheqës i botës së lirë nuk duhet të hezitojë të deklarojë qartazi, se bota do të ishte një vend shumë më i mirë nëse Putin nuk do të ishte më në krye të Rusisë, dhe një mënyrë për të ndihmuar në të kuptuarit e saj është ta thuash atë me zë të lartë.
Ta bësh të qartë se Rusia do të mbetet një shtet të cilit nuk mund ti zihet besë, derisa të largohet Putin, është mënyra më e mirë për të lëkundur mbështetjen që ai gëzon ende në mesin e elitës, komandantëve ushtarakë dhe rusëve të zakonshëm.
Problemi lindi kur Shtëpia e Bardhë u përpoq ta korrigjonte atë deklaraë, duke e quajtur atë një qëndrim të keq-intepretuar që nuk pasqyronte politikën e SHBA-së për “ndryshimin e regjimit” në Rusi. Ky akt ma ka shtuar shqetësimin mbi një ndarje të brendshme në Shtëpinë e Bardhë, midis atyre që ndiejnë mundësinë për ta hedhur Putinin në koshin e plehrave të historisë, dhe atyre që kanë frikë nga çdo ndryshim në statuskuosë aktuale, dhe që preferojnë të merren me “Djallin që tashmë e njohin”.
Kjo e fundit do të ishte një jehonë e vitit 1991, kur presidenti George H.W Bush mbajti fjalimin e tij famëkeq që thuhet se ishte shkruar nga Condoleezza Rice, ku e paralajmëronte Ukrainën që të mos nxitonte me shpalljen e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik.
Tre javë më vonë Ukraina e injoroi atë këshillë dhe shpalli pavarësinë. Bashkimi Sovjetik u shemb brenda disa muajsh. Receta e përditësuar e vitit 2022, kërkon mbajtjen e Putinit në tryezën e bisedimeve për marrëveshjen bërthamore të Iranit, duke mos i dhënë Ukrainës avionët dhe armët e tjera sulmuese që i nevojiten për ta fituar luftën.
Gjithçka që dëgjoj nga anëtarët e tjerë të NATO-s, është se SHBA-ja është bërë pengesë në këtë aspekt dhe se kërkohet një shpjegim. Lejimi i Putinit që të mbajë qoftë edhe një centimetër tokë ukrainase pas bombardimit të civilëve, duhet të jetë diçka e paimagjinueshme.
Dorëzimi tek pushtuesit i zonave të mëdha të Ukrainës Lindore në këmbim të një armëpushimi, vetëm sa do t’i jepte Putinit kohë për t’u konsoliduar dhe riarmatosur për herën tjetër, dhe do të ketë gjithnjë një herë tjetër. Asnjë marrëveshje paqeje nuk duhet që të dobësojë sanksionet e forta që janë vendosur më në fund pas 8 vitesh vonesë.
Pengesa e vetme në fundin e Luftës së Ftohtë, ishte humbja e qartësisë morale të siguruar nga një e keqe e qartë dhe e pranishme. Përveç një grushti bashkudhëtarësh dhe idiotësh të dobishëm, edhe kritikët e Ronald Reagan nuk mundën të dyshonin në saktësinë e këtij të fundit, kur e quajti Bashkimin Sovjetik “një perandori të së keqes” në një fjalim të vitit 1983.
Sa befasuese ishte të dëgjoje një politikan të fliste kaq qartë në kushtet morale. Ajo ishte shumë domethënëse për ne brenda Bashkimit Sovjetik që po dëgjonim atë që e dinim se ishte e vërtetë të thuhej me zë të lartë nga udhëheqësi i botës së lirë.
Mosha e Joe Biden mund të jetë negative për disa, por ai të kujton Luftën e Ftohtë. Gafë apo jo, komenti i tij pasqyronte instinktet e sakta: Vladimir Putin duhet të largohet nga drejtimi i Rusisë. Por lufta në Ukrainë është gjithashtu një shpërqendrim nga axhenda e tij e brendshme e dobët.
Është e vështirë të flasësh për çështje ekonomike dhe sociale në SHBA, kur një luftë e vërtetë po dikton lajmet çdo natë. Atëherë, kush në Uashington duhet të thotë të vërtetën mbi Ukrainën? Nëse administrata Biden dëshiron që Ukraina të fitojë, dikush në Shtëpinë e Bardhë duhet ta thotë këtë dhe të bëjë atë që është e nevojshme.
Nëse SHBA po i ofron ndonjë marrëveshje Putinit, ose po i bën presion Ukrainës që të pranojë diçka më pak se sovraniteti mbi 100 për qind i territorit të saj, ne duhet ta dimë. Dykuptimësia taktike mund të jetë e dobishme, por mungesa e unitetit dhe qëndrueshmërisë strategjike dhe morale të çon drejt katastrofës.
Rusia e Putinit është një “pikë karburanti” e falimentuar e drejtuar nga një mafie që preferon të shpenzojë në Londër dhe Nju Jork kohën dhe paratë e saj. Ofrimi i ndonjë karrote për këta kriminelë lufte do të krijonte terrenin për një rikthim tek qasja e butë dhe korrupsionin që na solli në këtë fazë vdekjeprurëse.
Kjo gjë do të trondiste edhe themelet e mbrojtjes kolektive në rajon. Siç më tha Ministri letonez i Mbrojtjes Artis Pabriks javën e kaluar “Ne nuk kemi frikë nga tanket ruse, por nga dobësia e Perëndimit”. Për mirë a keq, rezultati i luftës në Ukrainë do të përcaktojë një rend të ri botëror.
Tajvani dhe Kina po vëzhgojnë nga afër zhvillimet. Aleanca e natyrshme e Xi Jinping me diktatorin rus, po duket më pak tërheqëse pas mbështetjes së madhe nga bota e lirë për Ukrainën. SHBA-ja mund të rivendosë lidershipin e saj në botën e lirë, ose mund të udhëheqë nga prapa, ndërkohë që demokracia po vazhdon të humbasë terren. Perëndimin e zuri gjumi kur mbaroi Lufta e Ftohtë. Ukrainasit po sakrifikojnë gjithçka për ta zgjuar presidentin Biden, Shtëpinë e Bardhë dhe gjithë botën.