Propozimi i ish kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifit për ambasadore në Bruksel sipas opozitës konfirmon faktin se Qeveria aktuale po i shpërblen njerëzit të cilët kanë dështuar në menaxhimin e institucioneve në të cilat janë emëruar.
I tillë është edhe statusi i Kryetarit të Degës së Lëvizjes BESA në Tetovë, njëherit edhe kryesues i Këshillit në Komunën e Tetovës, Besar Durmishi, i cili ironikisht, përmes rrjetit social Facebook, ka shkruar se Arifi “suksesin” e treguar gjatë dy mandateve, sa qeverisi me Tetovën, do ta tregojë edhe gjatë mandatit si ambasadore në BE, ndoshta do të detyrojë diasporën të rikthehet në vendlindje, përcjell TetovaLajm.
“Teuta Arifi do të “kontribuojë” në kthimin e 400.000 shqiptarëve në vendlindje ashtu si kontriboi në largimin e tetovarëve me dy mandate në krye të Tetovës. Figurat e “sukseshme” të BDI-së patjetër duhet të sistemohen në pozicione, sepse pa ato nuk mundet politika.
Me atë që shohim se sa ka shkatërruar komunën e Tetovës për dy mandate qeverisje, mund të paramendoni se sa “denjësisht do na përfaqëson në Bruksel”. Mos u habitni nëse shumë shpejt do ketë edhe largim të shqiptarëve nga EU!”, ka shkruar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, kryesuesi i Këshillit në Komunën e Tetovës, Besar Durmishi.