Gara presidenciala dita ditës po bëhet më e nxehtë ende pa filluar zyrtarisht fushata zgjedhore. Në këto zgjedhje do të garojnë tri kandidat për president të vendit, Stevo Pendarovski nga LSDM-ja, Gordana Siljanovska nga VMRO-ja dhe Blerim Reka kandidat i pavarur i mbështetur nga opozita shqiptare.
Sipas burimeve brenda Lëvizjes BESA, përjashtojnë çdo mundësi që të mbështesin kandidatin e VMRO-së për presidenciale. “Ne nuk do të mbështesim një kandidate e cila vazhdon retorikën nacionaliste si dhe vazhdon të mbajë qendrime që janë në kundërshtim me parimet tona mbi të cilat duhet të ndërtohet ky shtet. Pa shqiptarët Maqedonia e Veriut nuk mund të ketë të ardhme dhe derisa Siljanovska dhe VMRO-DPMNE nuk e kuptojnë këtë, ata do mbeten të izoluar dhe pa mbështetje”, deklarojnë nga Lëvizja BESA.
Sipas po të njëjtave burime, nga BESA janë të bindur se Blerim Reka do të kaloj në raundin e dytë dhe se qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin presidentin që i duhet Maqedonisë së Veriut.
“Jemi të bindur që kandidatura e Blerim Rekës është më e duhura në këto zgjedhje dhe shpresojmë se do të kaloj në raundin e dytë”.
Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 21 prill të këtij viti ndërsa raundi dytë më 5 maj./TopAlNews/