Nxënësit, më shumë pa libra se sa me libra

337

Më shumë pa libra se me libra. Kjo është situata me të cilën përballen nxënësit e shkollave fillore në vend. Edhe pse deri në fund të vitit shkollor kanë mbetur edhe pak muaj, nuk është gjetur ende zgjidhje. Mungesë më e madhe e librave vërehet në lëndët: gjuhë shqipe për klasën e gjashtë dhe të nëntë, gjuhë maqedonase, histori, gjeografi dhe arsim qytetar. Alsat qëndroi në shkollën fillore “Alija Avdoviç” të fshatit Batincë, ku thuajse gjysma e nxënësve të klasës së gjashtë zhvillonin orën mësimore pa libra të gjuhës shqipe. Për të mos mbetur mbrapa me mësime nxënësit e kishin kopjuar këtë libër.

Ma ka bërë babi fotokopje. Pse e ka bërë fotokopje? Për të mësuar. Nuk mundesha ti shkruaj mësimet prej në libër, patjetër prej tjetër kujt ti marr. Ke edhe ndonjë libër tjetër që e ke kopjuar? Po, Arsimin Teknik.

Cilat libra të mungonin kur more kompletin e librave? Shkencat natyrore, matematikë dhe gjuhë shqipe.

Ishte shumë vështirë të mësosh pa libra, arsimtari na jepte detyra, ne nuk mundeshim ti kryejmë detyrat sepse nuk kishim libra dhe prej shokëve i morëm disa libra dhe i bëmë kopje.

Për të zbutur këtë problematikë, mësuesi i gjuhës shqipe, Regaip Mustafa tha se bashkë me kolegët e tij kanë shtypur një broshurë ku kanë përmbledhur njësitë më të rëndësishme mësimore.

Edhe ato libra që na vijnë, për shkak të vonesës së madhe na vijnë librat e njëjtë si matematika, shkenca, të cilat i kemi shumë dhe nuk ka nevojë. Librat e gjuhës shqipe dy vjet mungojnë, me ndihmën e prindërve po i bëjmë kopje, punoj me material që e kam përgatitur vet. Edhe ato që janë, janë të dëmtuara, unë personalisht nuk i përdori në shtëpi, i përgatiti vet dhe i zgjedhi temat e thjeshta për nxënësit që atë që  e shpjegoj ata ta kuptojnë- thotë mësuesi Regaip Mustafa.

Sipas sqarimeve të Ministrisë së Arsimit, mungesa e librave është si rezultatet i procedurave gjyqësore me kompanitë shpërndarëse.

 Ne kemi shpallur furnizimin publik të ri i cili është i karakterit ndërkombëtar, ka afate të caktuara dhe shpresojmë që të angazhojmë operator të caktuar, shtëpi botuese të caktuar e cila do të jetë e angazhuar për dy vitet e ardhshme shkollore, që të siguroj tekstet shkollore për dy vitet e ardhshme dhe shpresojmë që kjo procedurë e angazhimit të këtij operatori të përfundojë në mënyrë të suksesshme- deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Vitet e fundit, thuajse të gjitha shkollat në vend kanë probleme me furnizimin e librave. Pavarësisht mungesës së shumë teksteve shkollore, ato që u shpërndahen nxënësve janë shumë të dëmtuara.

Melihate Rustemi