Kreu i Tetovës, Bilall Kasami njofton për ceremoninë e shpalljes Qytetar nderi të Tetovës – Rifat Jasharin, vellai i heronjve Adem dhe Hamz Jashari.
Tetova sot është përpara një momenti të madh, përpara një momenti që shënon madhështi historike. Tetova po nderon trimërinë dhe sakrificën e pafundme të familjes Jashari, lavdinë e përjetshme të kësaj familjeje që mbetet simbol i rezistencës dhe lirisë.
Historia më e lavdishme shqiptare merr kuptimin më të thellë me sakrificën dhe lavdinë e familjes Jashari, që mbajti gjallë shpirtin shqiptar, që mbajti gjallë shpresën dhe rezistencën. Kjo lavdi e përjetshme sot nderohet në Tetovën tonë, në Tetovën e Bacit Rifat, që tashmë është qytetar nderi i qytetit tonë.
Shpallja qytetar nderi e Bacës Rifat është më e pakta që mund të bëjë Tetova dhe qytetarët e saj, që përmes familjes Jashari kanë kuptuar se çdo të thotë liria, pragu, vatani dhe si mbrohen ato. Rifat Jashari është simboli, shëmbëlltyra e kësaj sakrifice, vazhdimësia e përpjekjes për liri dhe për një Kosovë siç e deshën të gjithë të rënët e familjes Jashari e më gjerë.
Familja Jasharaj është shpirti i kombit, është fryma e lirisë e kalitur në patriotizmin e pashoq, e kalitur si substancë shqiptare në vatrën e kësaj familje që mbetet shembulli më i pastër, më madhor i sakrificës në altarin e përndritur të lirisë dhe atdhedashurisë.