Ukraina është furnizuesi më i madh me ushqime i Programit Botëror të Ushqimit (WFP). WFP shpërndan ushqime për 125 milionë vetë në mbi 80 vende anembanë botës. Nëse arat në Ukrainë nuk punohen tani, nuk do të ketë korrje dhe eksportet e grurit përmes porteve të Ukrainës do të mbeten të bllokuara për shkak të lu*ftës, situata për shumë shtete dhe zona krize do të bëhet shumë kritike.Sipas drejtorit të WFP, David Beasley, Afganistani, Egjipti dhe Siria janë veçanërisht të varura nga importet nga Ukraina. Miliona vetë janë në rrezik, paralajmëron ai. Rritja e çmimeve ka shkaktuar mungesa edhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Lindore, tha Beasley pas bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe Francën në selinë e Programit Botëror të Ushqimit në Romë.
“Tani po flasim për një konflikt në shportën e bukës në botë, sepse Ukraina prodhon ushqim për rreth 400 milionë njerëz në mbarë botën”, tha drejtori i programit të OKB-së. Edhe para sulmit rus në Ukrainë, çmimet e karburanteve, ushqimeve dhe plehrave janë rritur tepër. Me përshkallëzimin aktual, po përjetojmë “stuhinë e përsosur”, thotë David Beasley.
Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) pret që çmimet e grurit të rriten me 85 përqind në mbarë botën për shkak të një korrjeje të dështuar në Ukrainë. Beasley llogarit se hendeku në financimin për ndihmën e organizatës së tij do të jetë midis tetë dhe nëntë miliardë dollarë në vit për shkak të rritjes së çmimit. E Agjencia e OKB-së vuan nga mungesa e vazhdueshme e parave, sepse nuk ka një buxhet fiks. Ajo mbështetet në donacionet e qeverive.
BE do të blejë drithëra në mbarë botën
“Si t’i kompensojmë të korrat e pakësuara nga Ukraina? Si ta zëvendësojmë ushqimin, drithin që mund të mos prodhohet më në Ukrainë? Ne duhet të veprojmë tani,” tha kreu i WFP.
Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian dhe Franca dëgjojnë paralajmërimet urgjente të David Beasley dhe bashkëpunëtorëve të tij. Por lu*fta në Ukrainë e bën situatën shumë dramatike. Prandaj, qeveria franceze dhe Komisioni i BE-së duan të bashkojnë të gjithë aktorët deri në fund të qershorit dhe të krijojnë atë që zhargoni burokratik i BE-së e quan një “mekanizëm mobilizimi”. Ky është një lloj ekipi krize që do të blejë drithë në mbarë botën dhe do të mbledhë shumë donacione për Programin Botëror të Ushqimit.
“Komisioni tani do ta trajtojë problemin së bashku me vendet anëtare të BE-së. Së pari me masa emergjente dhe më pas duam të shkojmë në rrënjë të problemit dhe të përpiqemi t’i afrojmë të gjitha palët, pra organizatat e ndihmës, punonjësit humanitarë, donatorët dhe shtetet e prekura”, premtoi Komisioneri i BE-së për Ndihmën në raste të Fatkeqësive, Janez Lenarcic në takimin në Romë. Megjithatë, ai e lë të hapur mundësinë e funksionimit.
As ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian, i cili aktualisht mban edhe presidencën e BE-së, nuk dha shifra specifike për paratë e ndihmës. “Është e rëndësishme të veprohet tani në mënyrë që të shmangim një skenar emergjence në të ardhmen. Nëpërmjet mekanizmit të mobilizimit, ne duhet të parandalojmë një krizë ndërkombëtare që do të ishte shkatërruese për botën.”
Kriza ushqimore i shtyn njerëzit të ikin
Nuk bëhet fjalë vetëm për eksportet e drithit, por edhe për plehrat, për shembull. Rreth 40 përqind e plehrave artificiale të përdorura në mbarë botën deri më tani ka ardhur nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia. Sundimtari bjellorus Alexander Lukashenko tha gjatë një vizite në Rusi se mungesa e eksporteve të plehrave mund të çojë shpejt në një krizë globale urie. Ai fajësoi sanksionet e vendosura nga shtetet perëndimore. Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian e hodhi poshtë këtë. Jo sanksionet, por sulmi rus ndaj Ukrainës, që shkaktoi sanksionet dhe bllokadat e porteve, është shkaku i krizës.
Organizata Botërore e Tregtisë parashikon se lu*fta dhe sanksionet mund të përgjysmojnë vëllimin e tregtisë botërore. Evropa do të goditet rëndë, por efektet do të jenë dramatike për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, ku do të ketë rritje masive të çmimeve për ushqimin dhe vajin, ndër të tjera.
Kjo krizë e parashikuar ushqimore mund të çojë në lëvizje të reja refugjatësh, paralajmëroi drejtori i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley. “Në jug të Evropës, nga Deti i Kuq në Atlantik, 500 milionë njerëz jetojnë në kushte shumë të pasigurta. Etiopia, Sudani dhe Somalia, për të përmendur disa, janë në situatë të rëndë. Ato po përjetojnë një thatësirë të madhe. Gjëja e fundit që na duhet është që miliona të tjerë të ikin nga Afrika Jugore apo Lindja e Mesme, përveç katër milionë refugjatëve në Ukrainë.”
Edhe në Ukrainë, furnizimi me ushqim do të përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Kjo është arsyeja pse Programi Botëror i Ushqimit po përgatitet të sigurojë ushqim për miliona njerëz në Ukrainë, një vend me tokën më pjellore në botë. “Si ta bëjmë këtë? A duhet të marrim diçka nga fëmijët e uritur në Afrikë për t’ua dhënë fëmijëve të uritur në Ukrainë? Apo anasjelltas?” pyeti David Beasley pas bisedimeve me përfaqësuesit e BE-së dhe Francës në Romë.