Lufta në Ukrainë përveçse ka marrë mijëra jetë njerëzish të pafajshëm, shumë ka lënë edhe pa ngrënë me ditë të tëra.
Ushtria ruse ditëve të fundit, pa asnjë arsye, vrau plot civilë duke ua lënë trupat rrugëve të qyteteve të Ukrainës. Qyteza Buça, 37 kilometra larg Kievit, ishte më e prekura.
Në Mariupol, mijëra njerëz kanë mbetur të bllokuar pa ushqim, pa ujë e pa energji elektrike, shkruan BBC.
Përpjekjet e shumta për të hapur korridore për shpërndarjen e ndihmave kanë dështuar. Ata që kanë arritur t’i mbijetojnë luftës deri sot, vuajtja nuk ka pëfunduar, veçanërisht për fëmijët.
Nadia Denysenko dhe fëmijët e saj janë arratisur pas tre javësh nga Mariupoli. Për ditë të tëra, ishin pa ngrënë e pa pirë fare.
“Luteshim që të kishim vetëm një shishe ujë. Sapo e patëm në duar, e përfunduam në sekond. Kur nisi ky agresion, djali im i vogël më tha, mami do të doja pak bukë”, është shprehur ajo.
Djemtë e saj janë 14-vjeç. 12-vjeç dhe 5-vjeç.
Ajo e përshkruan jetën brenda bodrumeve të Mariupolit, si diçka të tmerrshme që “as s’të lë të flesh”.
“Ishe ferr. Thjesht ferr. Po jetonim ditët tona duke mos e ditur a do të zgjohemi të gjallë”, u shpreh 39-vjeçarja, që punonte më herët në një supermarket në qytet.
Prej aty, ajo ka marrë fëmijët dhe është larguar në Zaporizhzhia, Lviv, në Ukrainën perëndimore, një rajon që është kursyer paksa nga sulmet e Rusisë. Por vështirësitë ndonëse vazhdojnë, gjeta e ushqimit atje është më e lehtë.
“Jemi më të sigurt dhe këtu mund të blejmë ushqim, por djali im ende e fsheh bukën nga frika se mos mbetemi pa të. Fsheh edhe karamele, çdo gjë. I fsheh në vende të ndryshme të banesës ku po jetojmë. Kur e pyeta pse po i fsheh më tha ‘që nesër të kemi për të ngrënë diçka”, u shpreh ajo.
Autoritetet ukrainase janë duke hetuar kryerje të mundshme të krimeve të luftës nga Rusia, meqë kanë gjetur qindra trupa nëpër rrugët e qytezave afër Kievit.
Ato kanë gjetur trupat pasi forcat e Kremlinit janë tërhequr për t’u përqendruar në pjesë tjera të Ukrainës.