Më shumë se një muaj pasi Rusia pushtoi Ukrainën, sulmet e intensifikuara në disa qytete të Ukrainës kanë lënë shumë njerëz pa qasje në shtëpitë e tyre, pa energji elektrike, ujë, ushqim dhe nevoja elementare. Vendet që mbështesin Ukrainën në këtë luftë, përfshirë Maqedoninë e Veriut, po dërgojnë ndihma të formave të ndryshme për të ndihmuar forcat ushtarake, si dhe ndihma humanitare për ata që po vuajnë pasojat e tmerrshme nga sulmet, shkruan Vërtetëmatësi.
Shkruan: Simona Atanasova
Institucionet, komunat, ndërmarrjet, kompanitë, odat ekonomike, si dhe qytetarët e thjeshtë të Maqedonisë së Veriut kryejnë aksione të ndryshme për mbledhjen e ndihmave humanitare për popullin e Ukrainës. Deri më tani, mjetet e mbledhura nga Kryqi i Kuq për të ndihmuar Ukrainën kanë arritur në rreth 2.500.000 denarë, bëjnë të ditur për “Vërtetmatësin” nga Kryqi i Kuq.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti, para dhjetë ditëve, në prani të ambasadores së Ukrainës në vend, Natalia Zadoruzhnuk, organizuan një manifestim humanitar për mbledhjen e ndihmave për Ukrainën. Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut nënshkruan Memorandum për bashkëpunim për koordinim më efikas të mbledhjes së fondeve për Ukrainën.
Ambasadorja e Ukrainës, Natalia Zadoruzhnyuk falënderoi institucionet, ndërmarrjet, kompanitë, por edhe të gjithë qytetarët që iu përgjigjën thirrjes së tyre.
I jemi mirënjohës Republikës mike të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e qartë ndaj Ukrainës, për vendimin e qeverisë për të vendosur sanksione, për të ndihmuar refugjatët, për të organizuar ndihma humanitare për Ukrainën. Ne e vlerësojmë shumë këtë dhe do të doja të falënderoja veçanërisht organizatat që dhurojnë fonde me të cilat ne mund të prokurojmë mjetet e nevojshme dhe t’i dërgojmë ato në Ukrainë, tha Zadoruzhnjuk.
Nga Kryqi i Kuq thonë se me nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim me Odat Ekonomike të RMV-së përfshihen edhe kompanitë me dhurimin e ndihmave humanitare. Kjo ndihmë do të shpërndahet në magazinat rajonale të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Qytetarët mund të dhurojnë përmes numrit të telefonit 143 400 i cili është i hapur për donacione për të gjithë operatorët celularë, si dhe mund t’i bashkohen apelit të Ambasadës së Ukrainës që mbledh ndihma humanitare në produkte. Ndihma humanitare dërgohet në koordinim me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe Depot Rajonale që janë hapur në vendet në kufi me Ukrainën, njoftoi Kryqi i Kuq për “Vërtetmatësin”.
Pikat për ndihmë humanitare
Anëtarët e shoqatës ukrainase “Lesja Ukrainka” në Shkup hapën dy pika për ndihma humanitare, në depon e “Gorska”, në Gjorçe Petrov, në rr. Sharplaninska, nr. 4, çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në 19:00, dhe të shtunën nga ora 10:00 deri në orën 14:00. Në sheshin Maqedonia është vendosur çadër, e hapur çdo ditë nga ora 10 deri në 20.
Çdo qytetar që dëshiron të dhurojë donacione në ilaçe, veshmbathje, ushqime (përveç me origjinë shtazore), sende të higjienës personale, batanije etj., mund ta bëjë këtë në këto dy pika.
Ditë më parë, Ambasada e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut në profilin e saj në Facebook publikoi disa foto dhe video të ndihmave humanitare të grumbulluara në vendin tonë, të cilat arritën t’i dërgonin në Ukrainë.
Me ndihmën e kompanive dhe firmave maqedonase, Ambasada sërish dërgoi një dërgesë me ndihma humanitare në Ukrainë. Faleminderit për zemërgjerësinë dhe solidaritetin miq, shkroi Ambasada.
Ndihma ushtarake
Maqedonia e Veriut, përveç ndihmës humanitare, dhuroi pajisje dhe furnizime ushtarake për Forcat e Armatosura të Ukrainës. Kështu vendosi Qeveria e Maqedonisë, e cila iu bashkua mbështetjes gjithëpërfshirëse të aleatëve të NATO-s dhe partnerëve të BE-së.
“Vërtetmatësi” pyeti si Qeverinë ashtu edhe Ministrinë e Mbrojtjes se për çfarë ndihme bëhet fjalë dhe si është transferuar në Ukrainë. Nga të dyja institucionet morëm të njëjtën përgjigje – se bëhet fjalë për të dhëna të klasifikuara.
Në fillim të këtij muaji, Maqedonia e Veriut iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Ukrainës për dhurimin e pajisjeve ushtarake, në përputhje me nevojat e Ukrainës dhe kapaciteteve tona. Kërkesa për ndihmë në pajisje ushtarake ishte e klasifikuar dhe për këtë arsye nuk mund të japim detaje se për çfarë lloj pajisjeje ushtarake bëhet fjalë. Pajisjet dërgohen me mbështetje logjistike në përputhje me procedurat e vendosura në baza dypalëshe me aleatët e NATO-s. Se a do të dërgohen ndihma shtesë në periudhën e ardhshme varet nga kërkesat, por mbi të gjitha në përputhje me kapacitetet tona, thonë për “Vërtetmatësin” nga Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes.
Pranimi i refugjatëve
Në Kryqin e Kuq deri tani për ndihmë janë regjistruar 163 persona, informojnë nga organizata. Shumica prej tyre janë të akomoduar në Shkup në akomodime private te të afërmit dhe miqtë e tyre.
Nuk është vërejtur rritje e numrit të refugjatëve në vend dhe deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka aplikuar për statusin e refugjatit, bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në një konferencë për media.
Nuk do të refuzojmë asnjë refugjat ukrainas. Për të gjithë do të ketë kujdes, po bëhen vlerësime për numrin e kapaciteteve në institucionet shtetërore që i kemi në dispozicion, tha Osmani.
Në seancën e 30-të, të mbajtur më 17 mars, Qeveria urdhëroi Ministrinë e Financave që të sigurojë mjete në vlerë prej 120 milionë denarë për organizimin dhe ofrimin e akomodimit në hotel dhe shërbime shtesë për qytetarët e Ukrainës, të cilët si refugjat nga zonat e luftës do të mbërrijnë në vendin tonë.
Prej atje për “Vërtetmatësin” konfirmuan se në vend kanë mbërritur shtetas ukrainas, por asnjëri prej tyre nuk ka aplikuar për statusin e refugjatit.
Personat që kanë mbërritur në këtë moment janë duke qëndruar tek të afërmit dhe miqtë e tyre. Deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka paraqitur kërkesë për statusin e refugjatit apo për ushtrim të ndonjë të drejte të caktuar, thonë nga Qeveria.
Sipas informacioneve të UNHCR-së, lufta ruse në Ukrainë deri më tani ka dëbuar 10 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre. Gati 3.7 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt dhe 6.5 milionë janë zhvendosur brenda vendit në Ukrainë.
Lufta në Ukrainë është aq shkatërruese sa 10 milionë janë larguar ose janë zhvendosur brenda vendit ose si refugjatë jashtë vendit, shkroi në Twitter Filipo Grandi, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për refugjatët.
Ndihmë edhe nga komunat
Përveç institucioneve të nivelit shtetëror, disa njësi të vetëqeverisjes lokale, përfshirë qytetin e Shkupit, janë mobilizuar për të mbledhur fonde për popullin ukrainas.
Më 10 mars, Këshilli i Qytetit të Shkupit mbajti seancën e gjashtë në të cilën u votua Vendimi për dhënien e ndihmës humanitare për qytetarët e Ukrainës në vlerë prej 7 milionë denarë, si shprehje e solidaritetit të qytetarëve të Shkupit për qytetarët e prekur nga konflikti ushtarak në atë vend.
Këshilli i Komunës së Manastirit më 16 mars mori vendim që të ndihmojë Ukrainën dhe qytetarët e saj për ndarjen e ndihmës financiare prej 500.000 denarë. Këshilltarët vendosën që të hapet një pikë ku qytetarët e Manastirit do të mbledhin ndihma në sende dhe mallra më të nevojshëm në mbështetje të Ukrainës, e cila po përballet me një katastrofë të madhe humanitare.
Komuna e Kavadarit, në seancë të jashtëzakonshme të Këshillit në fillim të marsit, ka marrë vendim për dërgimin e ndihmave humanitare për popullin e Ukrainës. Me shtatëmbëdhjetë vota “për” dhe një abstenim nga këshilltari i Levicës, komuna vendosi të ndajë 600.000 denarë për shoqatën e ukrainasve në vend “Lesja Ukrainka”, e cila do të duhet të blejë produkte ushqimore, ndërsa se do të bashkohen me donacione njoftoi edhe sektori i biznesit.
Komuna e Dellçevës ishte komuna e parë në Maqedoninë e Veriut që nisi aksion për mbledhjen e ndihmave humanitare të destinuara për qytetarët e Ukrainës. Dellçeva është një komunë e binjakëzuar me komunat Vishgorod dhe Ternopil në Ukrainë. Pika grumbulluese në Dellçevë u hap më 6 mars, pas së cilës donacioni i grumbulluar u transportua në Ambasadën e Ukrainës në Shkup.
Ukrainës i duhet ndihmë prej 1.7 miliardë dollarë
Kombet e Bashkuara kanë nisur dy thirrje urgjente të koordinuara që thonë se nevojiten 1.7 miliardë dollarë për të ndihmuar njerëzit në të gjithë Ukrainën dhe më gjerë. Në Ukrainë, nevojiten 1.1 miliardë dollarë për të plotësuar nevojat në rritje humanitare të më shumë se gjashtë milionë njerëzve të prekur dhe të zhvendosur nga operacionet ushtarake gjatë tre muajve të ardhshëm. Për momentin janë mbledhur 40% e fondeve. Jashtë vendit nevojiten më shumë se 550 milionë dollarë për të ndihmuar ukrainasit që ikin përtej kufijve, kryesisht në Poloni, Hungari, Rumani dhe Moldavi